Përshkrimi
“Tëhuajëzimi (alienacioni) që pëson një njeri larg Zotit, larg të themi shtëpisë së Atit, ambientit ku natyrisht i përket, është i tmerrshëm. Je larg gjithçkaje madje edhe larg vetvetes. Humb dinjitetin dhe poshtërohesh nga e keqja. Je i detyruar madje edhe të vjedhësh në të gjitha kuptimet e fjalës, të vjedhësh materialisht, por edhe të vjedhësh afekte, të vjedhësh simpati, pushtet, gjithçka që të plotëson atë boshllëk që ka krijuar largimi nga Zoti. Nuk të ngop asgjë dhe je gjithmonë i uritur. Je gjithmonë në kërkim të kënaqësisë së momentit dhe kjo gjithmonë të kushton dinjitet. E paguan shtrenjtë çdo gjë që kërkon jashtë këtij relacioni çlirues me Atin. E keqja kthehet në kompulsive, gati-gati instinktive dhe vartëse. Nuk mundesh pa të e të duket sikur bota mbaron po nuk more dozën tënde të drogës, të kënaqësisë seksuale, të fitimit të pandershëm, të pasurimit në kurriz të të tjerëve, të thashethemit, të pushtetit, të urrejtjes etj. Pangopshmëria është trajta kryesore e dikujt që e shikon veten të realizuar jashtë një relacioni me Zotin dhe me të afërmit e tij.”