Welcome to Onufri Publishing House!
Free Call +355-42-220-017

Dashuritë e virgjëreshës Madalenë

 5.50

Ridvan Dibra

I mbështetur mbi një monodramë të hershme të autorit, por me ndryshime thelbësore në strukturë e përmbajtje, vjen romani i ri i shkrimtarit Ridvan Dibra me titullin “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, i cili do t’i paraqitet lexuesit në Panairin e Librit Tiranë (14 – 18 tetor 2018).
Në qendër të veprës është fati i një femre me emrin Madalenë – përqendruar në tri periudha të rëndësishme e vendimtare të jetës së saj: në moshat 15, 25 e 40 vjeçe, ku përcaktuese bëhet sidomos etapa e parë, ajo e adoleshencës. Sepse pikërisht në këtë periudhë problemi numër një i Madalenës, shqetësimi i saj kryesor bëhet humbja e virgjërisë. Dhe këtu nis tjetërsimi e absurdi i këtij karakteri: Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete (ajo është e zënë me mjaft angazhime shkollore – artistike), por sepse në grupin e saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër. Duke qenë e tillë, domethënë e virgjër, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saj, tallje e përbuzje që veçse shtohen dhe ia bëjnë ferr ekzistencën. Në rrethana të tilla ajo vendos të kërkojë ndihmë. Po ku? Institucionet që mund t’i gjendeshin pranë e ta ndihmonin, si Familja, Shkolla, Shoqëria, janë në krizë të plotë e të denatyruara. Derisa Madalena vendos një ditë: të zhvirgjërohet! Krejt pa dëshirën e saj. Në rastin më të parë që do t’i krijohet. Dhe ai rast paraqitet diku në banjat e pista të shkollës së saj. Kështu, ajo që duhej të ishte përvoja e parë, e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e kësaj adoleshenteje 15 vjeçare, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar.
Nën shenjën e këtij “vendimi” të hershëm e të detyruar (të tjerët, koha, mjedisi), përmes episodesh e situatash sa absurde e groteske, aq edhe tragjikomike, në një trajtim thuajse përherë ironik e parodik, pasqyrohen edhe dy etapat e tjera nga jeta e Madalenës, por dhe e katër shoqeve të saja. Dhe në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet:
Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë? A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi?
Përtej fabulës interesante e tejet provokuese, Dibra, në gjurmët e veprave të tija më të mira, na sjell një roman të strukturuar saktë e bukur, me gjuhë e fraza të përpunuara plot ndjeshmëri e hijeshi. Ndërtimi i rrëfimit në vetën e parë, përfshirja e vetë autorit (Ridvan Dibra) si personazh në vepër, komunikimet e shpeshta e të drejtpërdrejta të heroinës me lexuesit e vet etj. janë disa prej elementeve të tjerë, që besojmë se do të zgjojnë interesim e vëmendje.

Categories: , Tag: Product ID: 3884