Welcome to Onufri Publishing House!
Free Call +355-42-220-017

Dita e fundit e Eskilit

 7.00

Category: Tag: Product ID: 2277

Description

NJË IMAZH ANTIK I KOHËS SONË

Mirash Martinoviqi ka hyrë në letërsi me përmbledhjen e poezive “Miti i qershisë”. Në kërkim të poetikës së tij boton, më vonë, romanin “Heretiku”, pastaj i kthehet përsëri poezisë, respektivisht prozës poetike, dhe këtë angazhim e kurorëzon me dy libra, “Rrathët në rërë” dhe “Dimri me Mandelshtamin”. Proza e tij poetike, në formën e një romani, me titull “Dita e fundit e Eskilit”, paraqet përcaktimin e qartë të autorit për të zgjidhur lëndën problemore, të cilën në të vërtetë e ka filluar me veprën e mëparshme “Rrathët në rërë”. Bazën e tij letrare Martinoviq e ka gjetur në kulturën dhe filozofinë helene, gjegjësisht në artin antik.
Ai, në fakt, zbërthen përsëri mitologjinë, mendimin dhe stilin e jetës së asaj kohe, në të vërtetë, të studiuar në shumë shkrime shkencore, historike dhe të tjera, të krijuara në këtë periudhë ose, si objekte studimi, me kalimin e kohës, u janë imponuar shumë teoricienëve dhe krijuesve.
Shkrimtari, në fakt, futet në një lëndë me motive të përjetshme që nuk vdes dhe normat e jetesës dhe të moralit të së cilës përfaqësojnë kodin historik dhe qytetërues të njeriut. Kompleksiteti i çështjeve me të cilat merret ky autor përjashton kategorinë e kohës, meqenëse ajo, e parë në të tashmen dhe në momentin e pranishëm, përfaqëson një pjesë integrale të vetë fatit tonë aktual. Çështja qendrore e kësaj “drame bashkëkohore në formë romani”, siç e kanë quajtur kritikët, është raporti në mes lirisë dhe pushtetit, skllavërisë dhe tiranisë, mërgimit dhe nënshtrimit, paqes dhe luftës. Athina e atëhershme, simbol i lirisë, demokracisë dhe prosperitetit, mendimin e lirë të Eskilit (shkrimtarit të madh të tragjedive dhe filozofit) e ka penguar dhe pamundësuar me internimin e tij dhe ekzekutimet e shumë mendimtarëve të tjerë. Ndërkohë, ajo mbushet me varreza dhe të vdekur për hir të mbajtjes së vet me çdo çmim. Atë sfond të gjerë historik të ngjarjeve, autori me shumë shkathtësi e përmbledh në një tërësi strukturore mjaft komplekse, duke i dhënë kështu asaj vulën e një meditacioni të fuqishëm dhe ndërtimi letrar pothuaj deri në përsosmëri.
Të gjithë pjesëmarrësit në dramë: populli, Agora e Athinës, shkrimtarët, krijuesit, varrmihësit, spiunët, profetët, burgaxhinjtë dhe të burgosurit – janë me njëri-tjetrin në një lidhje të ndërsjellë shumëngjyrëshe, shumë intensive dhe dialoguese, që nga ajo kontradiktore, apatike, ose, megjithatë, të dakorduar me nënvlerësim dhe deri në qëndrim përjashtues. Me ndihmën e imagjinatës së autorit, ata bëhen fytyra të njohura të kohës sonë, njëkohësisht pjesëmarrës dhe interpretues të saj. Drejtimi pragmatik i këtij libri – raporti mes institucionales (si një përfaqësim i shoqërores dhe “gjithënjerëzores”) dhe asaj personale, vetëdijes individuale për lirinë, ligjin, detyrën – mbetet, me sa duket, një simbol i normave civilizuese njerëzore, pavarësisht nga fanitja e forcës dhe shtrirjes së saj në periudha të caktuara historike. Për më tepër, historia në këtë mënyrë sikur rritet në një sistem rregullash në lidhje me ekzistencën e lumturisë dhe vuajtjes, lirisë dhe skllavërisë, tiranisë dhe demokracisë, luftës dhe paqes … Problemi, megjithatë, është se, ne nuk jemi në gjendje, ose të deshifrojmë logjikën e këtyre rregullave ose, çka është më e dëmshme për njeriun, se pikërisht me filozofinë e tyre synon me çdo kusht për të arritur vazhdimësinë historike.

Jovanka Vukanoviq
(pjesë nga parathënia)