Welcome to Onufri Publishing House!
Free Call +355-42-220-017

Don Kishoti 1

 6.00

Vëllimi i parë

Përkthyer nga Fan Noli

Kliko këtu për vëllimin e dytë

Categories: , , Tag: Product ID: 2267

Description

Në Spanjën e Kohës së Mesme aristokratët e vegjël pajtoheshin si qehajaj pranë feudalëve çiflig – sahibinj e veçanërisht si kapedanë komitaxhinj të çetave që luftonin kundër arabëve. Si u çlirua Spanja prej arabëve dhe si u modernizua përgjysmë, aristokratët e vegjël, që nuk shkuan në Amerikë, mbetën pa punë. U varfëruan, u proletarizuan, u deklasuan, ranë nga dynjallëku, se s’kishin bazë ekonomike, se iu pre irati dhe kështu mbetën në erë. Nga oxhaku dhe nga kultura lidheshin me aristokracinë feudale të lartë, po nga varfëria zbrisnin në shkallën e fshatarëve. S’ishin as tamam aristokratë, as tamam fshatarë, po ca më keq se që të dyja palët. Pra, ishin më reaksionarë se feudalët e lartë dhe më buda-
llenj se fshatarët e varfër e të paditur. Duke mos pasur as punë, as bazë, kërkonin dhe përpiqeshin t’i gjenin këto të dyja jo përpara, se s’kishte të pritme për klasën e tyre të vdekur, po prapa, në kohët e vjetra, kur klasa e tyre kishte një punë dhe një bazë. Kështu, Don Kishoti kërkon e gjen punë si kalorës i arratisur, siç ishin stërgjyshërit e tij. Kështu, Don Kishoti kërkon e gjen bazë në përrallat e klasës së tij, në librat e kalorësisë. Çka se bota ka vajtur përpara. Don Kishoti e merr përsipër ta kthejë botën prapa, ashtu siç e do interesi i klasës së vet.
Si shok natyral në këtë kryqëzatë, Don Kishoti gjen fshatarin e varfër e të paditur, që e ka në prag të derës, Sanço Pançën. Se edhe ky ka mbetur pa punë e pa bazë ekonomike e ndodhet në një gjendje analoge si edhe Don Kishoti. Në Spanjën e Kohës së Mesme, fshatarët e varfër kishin punë si komitaxhinj kundër arabëve, si laro, si mercenarë e si sejmenë të feudalëve. Në Spanjën moderne vdesin urie. Nuk shohin ndonjë avenir përpara, se industria nuk është zhvilluar mjaft në qytet sa t’i mbledhë si punëtorë të fabrikës. Pra, kërkojnë edhe këta punë dhe bazë prapa, në kohët e kaluara. Kështu, Sanço Pança bëhet sejmen i bejlurçinës, siç ishin stërgjyshërit e tij. Ndryshimi i madh midis Don Kishotit e Sanço Pançës është se ky i fundit s’ka kënduar libra kalorësie. Pra, ky s’i beson përrallat e Kohës së Mesme e s’ka iluzionet e Don Kishotit, dhe është shumë më i mençur se ustai i tij, se librat s’ia kanë shtrembëruar mendjen. Megjithëkëtë, ndonëse e sheh në çdo hap e në çdo aventurë që ustai i tij është i marrë, për të lidhur, prapë i vete pas, siç i vete pas çdo katundar bejlurçinës a agait të fshatit, se e ka pasur denbabaden shef, usta e kapedan nga shkaku i oxhakut, i kulturës, i traditës. Kështu, kemi gjendjen paradoksale të katundarit kundrejt bejlurçinës, të Sanço Pançës e të Don Kishotit, që mund të përmblidhet kështu: Sanço Pança është më i mençur nga Don Kishoti, se s’di të këndojë, po i vete pas, se Don Kishoti di të këndojë e se duhet, doemos nga ky shkak, të jetë më i mençur. Kështu, Sanço Pança i mbetet besnik ustait gjer në fund. Bile, kur vdes Don Kishoti, e qan me lotë të hidhur, ndonëse e merr vesh më në fund që ai e gënjeu dhe e mori më qafë me librat e kalorësisë.
Si shpjegohet popullariteti i Don Kishotit? Fare lehtë. Tipi i bejlurçinës, si dhia e zgjebur me bishtin përpjetë, dhe tipi i laros, që i vete bejlurçinës pas e përpiqet të mbajë rëndësi sipas ustait, kanë qenë gjithnjë qesharakë. Këta dy tipa bëhen më qesharakë, kur vishen si kalorës të arratisur dhe shëtitin si në karnavalet. Pastaj bëhen më qesharakë, kur këta të dy gogozhelë pretendojnë se do ta kthejnë rrotën e historisë prapa e do të ringjallin një periudhë që ka vdekur përgjithnjë. Përfundimi ca më qesharak i përpjekjeve të tyre i vë tenxheres kapakun. Çift më qesharak, me rroba më fantastike, me qëllime më absurde e me përfundime më groteske nuk mund të imagjinohej. Këtu kemi në fytyrën e Don Kishotit poezinë e bejlurçinës, dhe në fytyrën e Sanço Pançës prozën e laros. Kur bëhen qesharakë dhe hanë dru, doemos këndonjësit gëzohen, që në fytyrën e tyre bëhen qesharakë dhe hanë dru dy klasat shoqërore më të urryera dhe më prapavajtëse, klasa e bejlurçinës dhe klasa e laros. Se këta i ka pasur mileti mbi kokë si oficerë, si nëpunës, si ushtarë, si zaptie, si komitaxhinj, si hajdutë, si qehajaj, shkurt, si vegla dhe agjentë të feudalëve e të shtetit feudal. Kur rrihen këta, mileti ndien atë gëzim që quajnë gjermanët Schadenfreude, se i ngjan një mjerim armikut.
Po kjo vepër nuk do të ishte aq e bukur, sikur të na bënte vetëm të qeshnim. Na bën edhe të qajmë. Se Don Kishoti është një idealist në tërë kuptimin e fjalës. Të gjitha këto i bën për të mirën e njerëzisë dhe aspak për ndonjë interes vetjak. Ka një optimizëm e një entuziazëm e një durim e një besim e një perseverancë heroike, që meritonin të përdoreshin për një çështje më të mirë. Na vjen keq kur shikojmë që i harxhon më kot për një çështje të humbur e që sakrifikohet për përrallat e reaksionit. Gjithashtu na mallëngjen edhe Sançoja me besnikërinë që tregon kundrejt Don Kishotit. Na këputet shpirti kur shikojmë fshatarin e varfër dhe të paditur të vdesë për bejlurçinën, i cili e merr më qafë dhe e handakos me profka dhe iluzione.
Fan Noli