Welcome to Onufri Publishing House!
Free Call +355-42-220-017

Don Kishoti 2

 9.50

Vëllimi i dytë

Përkthyer nga Petro Zheji

Kliko këtu për vëllimin e parë

Categories: , , Tag: Product ID: 2270

Description

Ndërsa aventura e Odiseut ndodh në tokë në nëntokë, ajo e Dantes kryesisht në botën e për- tejme, rrugëtimi i Don Kishotit ndodh në një zonë të ndërmjetme, një zonë e turbullt, e krijuar prej marrëzisë, që nuk është as e këndejme, as e andejme.
Shkrimtarët e mëdhenj, si të shtyrë nga thirrja e vjetër, i janë kthyer shpesh këtij itinerari. Jo vetëm Uliksi i Xhojsit, irlandezi i rëndomtë Leopold Blum, e përjeton aventurën dhjetëvjeçare të Odiseut brenda një dite qershori të vitit 1904, në qytetin e Dublinit, por, sipas një interpretimi të ri, kryevepra e Nikolaj Gogolit “Shpirtra të vdekur” nuk është veçse një motërzim i ngjashëm i poemës danteske, me ndryshimin e vetëm se, ndërsa heroi i saj zbret nga bota e të gjallëve në Ferr, ai i Gogolit del nga Ferri mbështjellë me qyrk, për të mbledhur shpirtra në stepat e ngrira ruse. E meqenëse Rusia e Gogolit është krejtësisht groteske, shtegtimi i djallit të kujton njëherazi atë të hidalgos spanjoll.
Një zbërthim i tillë, që e vë “Shpirtrat e vdekur” midis Dantes dhe Servantesit, ende i papranuar nga kritika ruse, ka gjasë të mbetet një fantazim i bukur i Nabokovit, fantazim që Nabokovi vetë duhet ta ketë nxjerrë nga një letër e famshme e Pushkinit. Megjithatë, edhe si i tillë, si fantazim, ai do të ketë jetë. Ashtu si fantazimi i pleqve ballkanas për vendin e burgimit të Servantesit. Ashtu si shumë gjëra në botën e letrave. Në shkëndijime të tilla të mendimit, a në gojëdhëna të tilla janë të ndryra shpesh të vërteta të habitshme, nga ato që kapërcejnë rendin e vendosur të gjërave.
Duke krijuar gojëdhënën për gjeniun e largët e të panjohur, pleqtë ballkanas kapën thelbin e personazhit: burgimin e tij. Të shumtë janë ata që ngulin këmbë se pikërisht në burg, në atë mjedis anormal të jetës, u tharmëtua së pari “Don Kishoti”.
Gjysmë shekulli më parë, spanjolli Salvador de Madariaga, shkroi se në burg Servantesi përjetoi thellë se ç’do të thotë që “nën petkat e skllavit mund të jesh mbret”. Madariaga shtron pyetjen nëse “kyçi i biografisë së tij intime, a nuk është fakti që ditën kur e nxorën nga burgu, ai fitoi lirinë, por humbi ndjesinë prej sovrani?”.
Madariaga është i besueshëm kur thotë se dyzimi i Servantesit në burg është zanafilla e dyzimit të Don Kishotit, por vështirë të jetë i tillë kur shkruan se me daljen nga burgu gjeniu ra në skllavëri morale. Në fund të fundit, Don Kishotin, lirinë e tij, të Spanjës dhe të botës, ai nuk e shkroi në burg, por jashtë tij.
Kur pleqtë analfabetë ballkanas këmbëngulnin për të bërë një qortim në biografinë e Servantesit, ka rrezik që, për shkak të namit të keq të ballkanasve të sotëm, kjo të merrej si një marrëzi e tyre e radhës. Në këtë gadishull, po aq sa rrëmbimet e deleve e të livadheve, janë të njohura përvetësimet e epeve, të heronjve apo shkrimta- rëve. Për t’i çliruar pleqtë nga një fajësim i tillë duhet të kujtohemi se, sidoqoftë, tundimi i tyre nuk ka të bëjë me një përpjekje të ngjashme. Këtu është fjala për një burg. Pra, për një krim.
Pyetjes tjetër, përse kjo këmbëngulje për të marrë mbi vete një turp, nuk mund t’i jepet veç një përgjigje e tërthortë.
Pleqtë ballkanas, ndonëse analfabetë, kanë ditur gjithmonë dhe ende dinë diçka për atë që mund të quhet paraletërsi. Ata i dinë mirë rrugëtimet në botën tjetër, punët e marrëzisë, lumenjtë nga hyhet ose dilet nga skëterra, së fundi Greqinë, që nuk është veç njëqind milje larg. Mbindjesia u thotë se ai shkrimtar i largët, i lidhur me vargonj ka qenë në brigjet e Ballkanit e jo të Afrikës. Në trevat ballkanike ka pasur shumë histori të ngjashme. Në shekullin e njëzetë historitë me burgje dhe internime u përsëritën me shumicën e shkrimtarëve të Ballkanit: kroatë, serbë, shqiptarë, malazez, sllovenë, bullgarë, maqedonas, grekë e rumunë. Dhe s’ishte e rastit që, në gjithë këtë hapësirë totalitare komuniste, gojëdhëna e vjetër e gjeniut të lidhur me pranga u kujtua përsëri.
Ismail Kadare