Welcome to Onufri Publishing House!
Free Call +355-42-220-017

Mbreti Lir i Stepës

 4.00

Turgenievi e shkroi këtë novelë në vitin 1870. Këtu, ashtu si dhe në krijimet e mëparshme, ai ka shfrytëzuar kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë së hershme. Ngjarjet kryesore të novelës shtjellohen me mjaft saktësi sipas një ngjarjeje të vërtetë, që ka ndodhur në një çiflig në afërsi të pronës së nënës së shkrimtarit. Çifligari Harllov iu dha vajzave të tij gjithë tokën dhe u vendos për vete në një aneks të vogël të shtëpisë së tij. Kur dhëndurët e përzunë nga shtëpia, ai shkoi te nëna e shkrimtarit, iu ankua dhe i kërkoi leje të vendosej në shtëpinë e saj… Një ditë të diel në mëngjes, papritur Harllovi u zhduk, dhe pa kaluar as tri orë erdhi një lajmëtar që solli lajmin se Harllovi ishte vrarë për vdekje, pasi ishte rrëzuar nga çatia e aneksit të shtëpisë së vet, të cilin kishte filluar ta shkatërronte.
Kjo histori dramatike, e ringjallur në kujtesën e shkrimtarit, i kujtoi atij fatin e mbretit Lir, në tragjedinë e njohur të Shekspirit.

Përktheu nga origjinali Shyqyri Kondi

Categories: , Tag: Product ID: 2340

Description

Studimi i “Mbretit Lir të stepës” është me interes të veçantë për autorët, pasi rrëfimi ka një strukturë të shkëlqyer, me efekte të mrekullueshme, duke nxjerrë në pah kështu artificialitetin e pjesës më të madhe të veprave intelektuale të artit krijues. “Mbreti Lir i stepës” është një vepër e madhe arti, sepse është një tërësi e gjallë organike, që buron nga rrënjët e thella të jetës vetë; ndërsa, nga ana tjetër, veprat e panumërta të artit, që fabrikohen dhe formësohen me një plan të zgjuar – vepra që nuk frymëzohen nga pashmangshmëria e gjërave – shfaqen menjëherë si të parëndësishme apo që nuk vlejnë për t’u krahasuar. Në studimin e artit të autorit, artisti do të dallojë se metoda e Turgenievit e paraqitjes së historisë është një mësim që jepet për sinqeritetin. Harllovi, Liri i novelës, paraqitet me një forcë të tillë që në fillim, saqë të gjithë sytë që ndalen te figura e tij nuk mund të bëjnë gjë tjetër, veçse të ndjekin lëvizjet e tij të mëpastajme. Të krijohet bindja absolute se të gjitha mjetet krijuese, përshkrimet e hollësishme dhe ndriçimet dytësore të rrëfimit nuk janë të dukshme përpara lehtësisë dhe, në pamje të parë, pakujdesshmërisë, me të cilën narratori përshkruan kujtimet e tij kur ishte djalosh.
Më pas, familja e Harllovit, dy vajzat e tij, dhe një sërë karakteresh të tjera dytësore, paraqiten përpara nesh si persona pjesëmarrës në tragjedi dhe ne shikojmë se të gjithë këta njerëz jetojnë secili sipas ligjeve instinktive të qenies së vet, me sa duket në mënyrë të pavarur nga plani i autorit. Kjo pikëpamje, që autori nuk ka një plan të parapërgatitur, na bind se në këtë novelë ne po jetojmë një copëz të jetës: në të vërtetë këtu po zhytemi në vetë jetën.
Rrëfimi vazhdon duke rrjedhur lehtësisht e natyrshëm, derisa gjindja e lagjes, fshatarët, drurët dhe fushat rreth e përqark njihen nga ne aq mirë sa ç’mund të njohim çdo lagje tjetër në jetë. Papritur një ndërprerje dhe tragjedia na ka pushtuar.
Papritur forcat e mrekullueshme që janë në thelb të jetës njerëzore, madje dhe në jetët më të liga njerëzore, shpërthejnë përpara nesh duke na mahnitur dhe duke na e lënë frymën pezull, pikërisht ashtu siç vjen dhe na ndodh një tragjedi në jetën reale: të gjithë lëvizin të hutuar, të mërzitur, të padobishëm; shikojmë njerëzit e tjerë duke u përpjekur dobët për të ruajtur individualitetin e vet kur përballen me ngjarjet e reja të përbindshme, ngjarje që i lënë ata të grupuar me njëri-tjetrin, të padobishëm.
Pas shkatërrimit që ka ndodhur, jeta dalëngadalë kthehet në rrjedhën e saj të mëparshme, me një ndryshim për ne, që ka të bëjë me atë lidhjen e fortë që krijohet mes njerëzve që kanë mbijetuar pas një tragjedie apo pas vdekjes së dikujt.
Analiza e Turgenievit e situatës pas vdekjes së Harllovit është e mrekullueshme, i mrekullueshëm është edhe përshkrimi i thjeshtë i sjelljes së fqinjëve ndaj familjes së Harllovit. Turgenievi na çon në një botë të re: e megjithatë, është prapëseprapë bota e vjetër; nuk ka nevojë të dimë më shumë se kaq. Është jeta arbitrare, por e pashmangshme, jeta e dhënë kaq qartë nga arti, saqë është krejtësisht e kuptueshme; jeta me gjithë ndjesinë e misterit që natyra krijon përqark saj në zhvillimin e pandërprerë të saj.

Edward Garnett