Welcome to Onufri Publishing House!
Free Call +355-42-220-017
AGRON_TUFA_DUELI

Rrëfej unë, gruaja

 5.50

Mimoza KUCHLY

Që prej vitit 2002 jeton në Francë. E martuar, nënë me dy fëmijë. Ka lindur më 12 tetor 1972 në qytetin e Beratit ku mbaron shkollën e mesme të përgjithshme. Më 1995 diplomohet në Fakultetin Filologjik në Tiranë, dega Gjuhë Letërsi.
Më pas punon si gazetare e shtypit të pavarur.
Në vitin 2002 largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Paris, ku vazhdon studimet në Insitutin Katolik të Parisit dhe Universitetin e Sorbonës, në degën e sociologjisë dhe shkencave pedagogjike, duke u diplomuar në vitin 2004.
Që prej kësaj kohe ka punuar vullnetare si mësuese e gjuhës franceze për të huajt, mësuese e gjuhës shqipe për shqiptarët në Francë, përkthyese e liçensuar në institucionet administrative në Versajë.
Ky është libri i saj i parë.

Shfleto librin

Categories: , , Product ID: 3007

Product Description

Mbyllje të papritura, kthesa të befasishme, stil i zhdërvjelltë, një rrjedhë e nëndheshme lumi që të shpie nëpër peizazhe të paeksploruar, por që ti e ndjen…e di, që ekzistojnë. Mund ta ndërpresësh aty udhëtimin – si në një shëtitje të kundruar nga anija, – ose të zbresësh e të eksplorosh. Por ky do të jetë vendimi yt.
Ajo e ka bërë të vetën. Me lehtësi, natyrshmëri dhe pikërisht, për këto cilësi edhe me një të tretë, vetëbesim. Vetëbesimin e gruas së pjekur.
Ne evoluojmë. Ky është thelbi i ekzistencës. Evoluojmë si specie në nivel fizik në mijëra vjet, si individë në nivel shpirtëror e mendor çdo dhjetëvjeçar. Ngjarjet, rrethanat e përshpejtojnë evolucionin, kuptueshmërinë për veten dhe botën. Lirinë po ashtu.
Ishte 28 nëntor 2003, kur në hyrje të metrosë në Paris hasa fare rastësisht një vajzë të gjatë e elegante. Ma kishte zënë syri po atë mbrëmje, në festën e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë.
Një takim fatlum, që do të pasohej nga episode bisedash intensive dhe të thella ditët në vijim. Në momentin e parë ia lexova, menjëherë, intuitivisht, dy cilësi që i gjej tek personazhet e rrëfimeve: kureshtjen dhe kërkimin. Kureshtjen si katalizator të lirisë, kërkimin si mjet për të mbërritur tek liria. Energjia dhe erosi janë shtresëzime të kësaj lirie. Gratë e rrëfimeve i shohim në marrëdhënie pa prapavijë, në histori pa premtime dhe pa vazhdime. Secila prej tyre ka një rezervë ndjeshmërie njerëzore, afeksioni, që në saje të rrethanave, guximit, gjen rrugën për të ndërvepruar me tjetrin, tjetrën, në një amalgamë ndjesore e trupore. Personazhet nuk janë të obsesuar me lumturinë. U mungon gjithmonë diçka për ta cilësuar jetën e tyre të përsosur… Rrëfimet nuk janë përralla që përfundojnë me “jetuan të lumtur përgjithmonë”. Përkundrazi, e marrin fillesën aty ku e mbyll përralla. Personazhet nuk janë gjethe që i ngrejnë peshë puhizat më të lehta të ëndërrimeve. Janë komplekse. Si ajsbergu, që e sheh të zmadhohet sa më tepër i afrohet anijes. Drejt fundit të historive ato janë të afta të habisin me zgjedhjet që bëjnë. Asnjëra prej tyre nuk është gruaja e ëndrrave të tjetërkujt. Secila prej tyre është gruaja e ëndrrave të veta me pyetje, kërkesa, interesa të larmishme, nevoja, dëshira dhe qëllime. Gra fenomenale. Çfarë shohin burrat tek ajo? Përpiqen shumë, pa e rrokur misterin e tyre. Nuk janë të “dobëtat”, nuk kanë nevojë domosdoshmërisht për mbrojtje nga burra “alfa”. Ato janë të barabarta, të ndërgjegjshme për vlerën e tyre dhe çka sjellin në një marrëdhënie, pa abuzuar dhe pa u abuzuar. Dhe vijmë këtu tek një prej vlerave kryesore, në sytë e mi, të librit. Rrëfimet i çlirojnë personazhet nga dikotomitë në të cilat i mbërthen shoqëria. Ato dalin përtej skemave “shenjtore ose prostitutë”, “shtëpiake ose karrieriste”, “e dobët ose mizore”.
Flas për shoqërinë shqiptare. Flas për autoren që i njeh dhe i ka jetuar kufizimet e kësaj shoqërie. Dhe këtu hyn elementi evoluim: gjithnjë mendjehapur, ajo, autorja, ka lejuar të plazmohet nga prurjet dhe emancipohet nga kultura e vendit ku jeton prej afro dy dekadash.
Dhe gratë e tilla i afrohen perëndeshave: një perëndeshë di ta kërkojë lirinë e ta shijojë sensualitetin. Kur dhe me kë ajo dëshiron. Pa frikë. Me besim. Ky është misteri i saj – energjia e konfidencës.
Një sugjerim i vogël- niseni leximin nga tregimi “Dhe mbretëreshat kanë ëndrra”. Do t’ju “çojë në takim” me Lirinë, në kuptimin e drejtpërdrejtë (statuja) dhe metaforik (udhëtimi drejt lirisë).
28 nëntor 2003 (njohja), 10 mars 2007 (dëshmitare në dasmë), lindja e dy fëmijëve dhe tani, korrik 2017- lindja e “tretë”,- pas hamendësimesh, dyshimesh, kërkimesh, vuajtjesh e kënaqësish- jam e privilegjuar të rrëfej për autoren. Për Mozën dhe të gjitha gratë brenda saj.
Lexim të këndshëm!

Ulpiana Lama
Diplomate, sociologe
Paris, korrik 2017

Reviews

There are no reviews yet.

Be the first to review “Rrëfej unë, gruaja”

Your email address will not be published. Required fields are marked *