Welcome to Onufri Publishing House!
Free Call +355-422-270-399
Gabriel García Márquez

Gabriel García Márquez

Gabriel García Márquez (1927-2014), lindur në Kolumbi, është një nga figurat më të rëndësishme dhe më me ndikim në letërsinë botërore. Fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë më 1982, përveçse romancier, ka qenë edhe tregimtar, eseist, kritik kinematografie, skenarist dhe, mbi të gjitha, një intelektual i angazhuar për problemet e rëndësishme të kohës, sidomos për ato që preknin Kolumbinë e tij të dashur dhe Amerikën Latine në përgjithësi. Figura numër një e të ashtuquajturit “realizëm magjik”, në të cilin historia dhe imagjinata endin një pëlhurë të një letërsie të gjallë, që merr frymë nga të gjitha poret, ka qenë tekefundit krijuesi i një prej botëve narrative më të dendura me domethënie në gjuhën spanjolle në shekullin e XX. Ndër romanet e tij më të rëndësishëm janë “Njëqind vjet vetmi”, “Dashuria në kohërat e kolerës”, “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, “Rrëfimi i një anijembyturi”, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, “Një histori me paskuinë”, “Gjenerali në labirinthin e tij”, libri me tregime “Dymbëdhjetë tregime pelegrine”, “Diatribë dashurie kundër një burri të ulur”. Në vitin 2002 botoi pjesën e parë të autobiografisë së tij “Jeto për ta treguar”; më 2004 iu kthye fiksionit me “Kujtime kurvash të trishta” dhe më 2012 proza e tij e shkurtër u përmblodh në librin “Të gjitha tregimet”.