Welcome to Onufri Publishing House!
Free Call +355-42-220-017
Mehmet Kraja

Mehmet Kraja

MEHMET KRAJA ka lindur më 27 qershor 1952 në Kështenjë të Krajës, fshat afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjatë viteve 1974-76 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, “Bota e re”, më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”, ku botoi tekste të shumta publicistike për çështje të ndryshme nga problematika kulturore dhe recensa e shkrime diskurzive për letërsinë. Në fund të viteve tetëdhjetë u inkuadrua në lëvizjet politike të kohës, duke u bërë njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë viteve 1992-99 jetoi dhe punoi në Tiranë. Në atë kohë e pushoi angazhimin politik dhe iu përkushtuar letërsisë dhe publicistikës. Pas luftës së Kosovës ishte redaktor i kulturës në të përditshmen “Zëri”, më pas redaktor i shtojcës për kulturë në gazetën “Koha ditore”. Që nga viti 2002 është edhe ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (2005).

Me shkrime letrare filloi të merrej që kur ishte nxënës i gjimnazit në Ulqin. Tregimet e para i botoi në revistën letrare “Jeta e re”, nën përkujdesjen e Esad Mekulit. Deri më tani ka botuar dymbëdhjetë romane, katër vëllime me tregime, dhjetë drama dhe pesë libra nga fusha e publicistikës.