Përshkrimi
Ai vërtet qe bërë pak i çuditshëm ato ditë, po a nuk ishte bërë e çuditshme edhe ajo? Nëse ai nervozohej kur i kërkohej mendimi për diçka, e njëjta gjë i ndodhte asaj. Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, kishte vënë re, apo ndoshta kështu i qe dukur, se gjatë ditëve të fundit Iliri s’po tregohej me të i vëmendshëm dhe i dashur si më parë. Mos nuk i pëlqen që po martohemi? mendoi me tmerr, duke kaluar vështrimin rrëshqitazi në pasqyrën që kishte përballë, si të donte të gjente në fytyrën e saj shkakun. Sytë e saj të mëdhenj e vështruan me habi nga pasqyra. Vërtetë që ishte dobësuar pak nga provimet, por në përgjithësi, ishte ajo që kishte qenë gjithmonë. Vetëm një budallaqe mund të mendojë nga këto, tha me vete e zemëruar. Një budallaqe gjimnaziste, sikurse shprehej Iliri. Fakti që të dua nuk më jep të drejtën të gris rrobat e të shkul flokët, sepse kjo nuk është një provë e dashurisë, i thoshte ai, kur ajo ngulte këmbë t’ia provonte këtë. Përpiqu të më duash pak më shumë për mua dhe pak më pak për veten. Atëherë ai kishte pasur të drejtë. Vërtet në atë periudhë të parë të njohjes ajo ishte në alarm të vazhdueshëm se mos ai e donte më pak një ditë më vonë. Kurse tani punët ishin ndryshe. E gjithë kjo periudhë pak a shumë e gjatë njohjeje kishte mjaftuar ta bindte se njeriu që kishte zgjedhur ishte tamam ai që kishte përfytyruar edhe atëherë kur s’e njihte fare.