Përshkrimi
Zbulimi i një ekzemplari të ri të veprës së njohur të Pjetër Budit, “Dottrina christiana” (1618), në një bibliotekë të Romës, i ndryshëm në një fashikull prej kopjes së njohur, entuziazmoi menjëherë specialistët e fushës. Nga ky këndvështrim, përvoja e kërkimit të materialeve të tjera, lidhur me figurën e Budit dhe të rrethanave të veprimtarisë të tij, vazhdoi të ishte stimuluese profesionalisht dhe e pasur me shkëmbim idesh, sidomos nga pikëpamja metodologjike, me specialistë, në kuadër të nevojës dhe të përpjekjeve që po bëhen për përgatitjen e botimit kritik të veprës së Budit.
Në studimet tona filologjike po vjen një hulumtuese shumë e zellshme, një studiuese e letërsisë me horizont të gjerë dhe një kërkuese e madhe nëpër arkivat dhe bibliotekat ende jo krejtësisht të vizituara për pjesën shqiptare që mund të kenë. Ajo po shkel në këto studime me një zbulim me interes në këtë përvjetor të Budit dhe me një studim që tashmë tregon diellandritas se në të ardhmen do të ketë çka t’u ofrojë këtyre studimeve.
Rexhep Ismajli