Përshkrimi
“Ajo çka përbën edhe të pazakonshmen e menjëhershme të romanit Përmbytja është se personazhin klasik tradicional e zëvendëson qyteti. Ndonëse ai që rrëfen është autori i lindur në këtë qytet, prapëseprapë fati dhe ekzistenca e qytetit eklipson çdo protagonizëm mbizotërues personazhi: krye- personazh është vetë qyteti me emrin Atjelinda (njëfarë aludimi për Atlantidën e fundosur në ujëra). Është si historia e trupit dhe shpirtit të një organizmi që nuk mund të jetojnë dot ndaras. Kjo ndërmarrje në planin artistik dhe estetik e vështirëson shumë detyrën: të flasësh për fatin e një frymori kolektiv. Strukturimi i lëndës dhe thërrmimi me njësi rrëfimore të shkurtra, episodike, të orkestruara harmonikisht rreth një mbijetese itinerare ekzistenciale të shpirtit të qytetit, e bën tekstin e romanit, përpos kthjelltësisë së stilit, një festë leximi”.
Agron TUFA
“Nëse do të ndodhte vërtet një përmbytje dhe njerëzimit do t’i duhej që t’i shpëtonte librat e shenjtë, Përmbytja mund të listohej, pa asnjë mëdyshje, si libri i shenjtë i rrëfimit letrar, si një piskamë drithëruese që bart të gjitha përsiatjet, ritet, zakonet, magjitë, ritualet, regjimet, katrahurat e tyre, të një shpirti njerëzor që rreket të bindë. Ky roman është pa asnjë mëdyshje ndër më të mirët të shkruar pas viteve ’90”.
Shqiponja AXHAMI