Leja, për miratimin e veprimtarisë së shtëpisë botuese Onufri, është miratuar nga Ministria e Kulturës, me vendimin nr. 1640, datë 20 nëntor 1992.Themelues është Bujar Hudhri, i cili më parë kishte themeluar gazetat e pavarura “Fjala e lirë” (1991) dhe “Ku Vemi” (1992), kurse në maj 1992 shtypshkronjën e parë private, të pajisur me teknologji bashkëkohore, duke futur programet kompjuterike në shtyp, çka ishte risi për kohën.Shtëpia botuese Onufri ishte realizimi i ëndrrës që themeluesi i saj e kishte patur qëkur ishte gazetar i kulturës në gazetën lokale “Shkumbini” (1998-1990). Hapësirat gjithnjë e më të vogla, që gazeta ofronte për krijimet letrare, sidomos për talentet e reja, ishin nxitja e parë për të botuar vetë libra në të ardhmen.Objektivi i shtëpisë botuese Onufri ka qenë i përcaktuar qartë që në botimin e librit të parë: Të ishte shtëpia e vërtetë e shkrimtarëve shqiptarë, kudo ku ata jetonin dhe krijonin. Kjo ishte një ndihmë e çmuar për krijuesit shqiptarë, ndërkohë që pjesa më e madhe e botuesve të tjerë filluan të botonin vetëm letërsi të huaj, sidomos autorë të ndaluar.
Ndërsa Onufri botoi vetëm autorë shqiptarë dhe duke i financuar vetë krijimet e tyre. Ky ishte një kusht, që krijoi mundësinë që të ruhej gjithmonë niveli dhe cilësia e botimeve, duke shmangur kështu, vërshimin e shumë autorëve që paguanin vetë për librat e tyre. Pas pak vitesh, në katalogun e Onufrit u rreshtuan autorët më të mirë të letërsisë shqipe.Në nëntor të vitit 1995, në jetën e shtëpisë botuese Onufri shënohet një ngjarje e rëndësishme. Shkrimtari me famë botërore, Ismail Kadare, nisi t’i besojë Onufrit veprat e tij, të dikurshme dhe të reja. Është një shkollë e vërtetë bashkëpunimi me Kadarenë. Përvoja e tij me botuesit e mëdhenj ndërkombëtarë është shumë e çmuar për punën tonë të përditshme me librin, për të rritur cilësinë shtypit dhe të botimeve.Në vitin 1998 Onufri filloi botimin e veprës së plotë të Lasgush Poradecit. Së bashku me dy bijat e poetit të madh, Onufri u dha lexuesve shqiptarë, për herë të parë, krejt krijimtarinë poetike të Lasgushit si dhe publicistikën e tij. Vepra e plotë u promovua në panairin e parë të librit në Prishtinë, në dhjetor 1999 si dhe në Tiranë, po atë muaj, ku u shënua 100 vjetori i lindjes së poetit.
Në vitin 2009, Onufri botoi veprën e plotë, në 20 volume, të Kadaresë. Ishte i pari botim integral, i botuar nën kujdesin e vetë autorit. Për këtë kolanë, Onufri u nderua me çmimin kombëtar të bibliofilisë, “Lumo Skëndo”.Një vit më vonë, 2010. Onufri boton për herë të parë në hapësirat shqipfolëse, veprën e plotë letrare, në 10 volume të autorit të shquar Martin Camaj. Edhe për këtë kolanë Onufri është nderuar me çmimin kombëtar të bibliofilisë, ”Lumo Skëndo”. Ndërkohë autorëve të talentuar të letërsisë shqipe i bashkohen herë pas here shtëpisë botuese Onufri. Shumë prej tyre janë nderuar me çmime kombëtare.Shtëpia botuese Onufri, megjithëse në një numër të kufizuar, ka në katalogun e saj edhe shkrimtarë të huaj. Edhe në këto botime ka qenë i qartë qëndrimi si botues: vetëm autorë të spikatur dhe larg çdo spekulimi e komercializmi. Orientimi mund të shihet krejt qartë: autorë të huaj të shquar po ashtu edhe përkthyes të shquar, duke i shtuar cilësinë e lartë përkthimit, të botimit dhe shtypit të librit. Prej vitesh janë në katalogun e Onufrit kryeveprat botërore si “Iliada”, “Odiseja”, Vepra e Plotë e Eskilit, Sofokliut, “Don Kishoti, volume 1-2”, Shekspiri etj. Onufri krenohet me emrat e mëdhenj të përkthimit si Gjon Shllaku, Henrik Lacaj, Pashko Gjeçi, Skënder Luarasi, Alqi Kristo, Vedat Kokona, Petro Zheji etj., deri te Mira Meksi.Prej vitit 2016, Onufri ka arritur të marrë të drejtën, për gjuhën shqipe, të shkrimtarit të famshëm, nobelistit Gabriel Garcia Marquez. Kjo u bë e mundur nga një ndërmjetësim ndërkombëtar: Kadare, Agjenti i tij Letrar Andrew Wiley (New York) dhe Agjentja Letrare e G. G. Marquez, Carmen Balcels (Barcelonë). Padyshim, pas Kadaresë, kjo është arritja më e madhe e Onufrit në këtë çerekshekull të veprimtarisë së saj botuese.
Në vazhdim Onufri ka marrë shumë të drejta botimi të autorëve të rëndësishëm botërorë si William Faulkner, Jorge Amado, Mo Yan, Samanta Schweblin etj.
Onufri ka futur edhe një risi në botimet shqiptare, duke themeluar për herë të parë, edhe një tjetër shtëpi botuese, që sipas praktikës botërore njihet me termin imprint. Në vitin 2012 ky imprint u themelua me emrin Minerva. Por legjislacioni shqiptar nuk e njihte këtë term, atëherë ky imprint, Minerva, u bë një shtëpi botuese e pavarur, me regjistrim në gjykatën e Tiranës dhe QKR. Kjo shtëpi botuese ka botuar dhe boton vetëm vepra non fiction, nga autorë kryesisht të huaj.