Banka e Ankesave

L1,200

nga Zija Çela

Kategoritë: , SKU: 9789928354983 Etiketë:

Përshkrimi

Romani “Banka e Ankesave”, ashtu si shumica e romaneve të Zija Çelës, vjen si një alegori e fuqishme, ku shkrihen kontekste dhe referenca të vështira të realitetit jetësor. E këto gjithnjë të shprehura me groteskun e mbindërtuar mjeshtërisht nga autori, duke lënë te lexuesi shijen e këndshme të përjetimit artistik të një rrëfimi pavetor universal. Sipas këtij leximi, të gjithë në këtë botë jemi pjesë e një mekanizmi tragjikisht të kurdisur nga një forcë supreme, e cila nuk ndalet kurrë, duke ushtruar mbi ne vullnet sipëror, qoftë ai pushtet që na keqpërdor brutalisht, qoftë fat që na nëpërkëmb pamëshirshëm.
Kjo vepër e Zija Çelës mund të jetë subjekt krahasimi me romane që nxisin asociacione të largëta me autorë, si Kafka, Oruelli ose Kadare (“Procesi”, “1984”, “Pallati i ëndrrave”), por në arkitekturën e tij dhe në shtresimet metaforike romani “Banka e Ankesave” është po aq origjinal dhe i papërsëritshëm.
Vepra duket sikur është shkruar për një lexim të tipit përfshirës, i tillë që të mos marrësh frymë derisa të arrish te faqja e fundit. Në këtë pikë shkrimtari Zija Çela ka një përvojë të shkëlqyer: të gjithë librat e tij të bëjnë të përfytyrosh lexuesin që ngarend i paduruar, jo për të kaluar nga një faqe në tjetrën, por për të mbajtur të pakëputur fillin e rrëfimit, për ta shuar kureshtjen me bëmat dhe fatin e personazheve, mbi të gjitha, për të kapur ritmin e frazës e cila, si gjithmonë e gdhendur me shije të hollë, vjen e zhdërvjellët dhe me plot referenca kuptimore të bartura ose të drejtpërdrejta.

Mehmet KRAJA