Përshkrimi
Në tregim unë do t’i përmbahem hamendjes sime, sipas së cilës Hamza Sinani, tek shkonte drejt ashensorit duke folur me vete, po shprehte pendimin pse kishte ndjekur këshillën e të birit, Skënderit. Por vetëm pendimi ishte i pamjaftueshëm për ta qetësuar. Ai po mallkonte nëpër dhëmbë këmbët e veta pse e kishin sjellë në shtëpinë time atë mëngjes të shtune. Po mallkonte edhe fatin përse unë qëllova në Paris gjatë asaj fundjave. Pak nga pak, duke zbritur me ashensor e pastaj duke u endur pa ndonjë drejtim nëpër rrugët e Parisit, mallkimi i tij do të vazhdonte të shkonte thellë e më thellë. Me gjuhën e vjetër të vendlindjes, ai do të mallkonte çastin kur më kishte parë për herë të parë në televizion duke folur për një nga librat e mi të sapobotuar në frëngjisht, me ç’rast kishte mësuar se isha ambasadori i ri i Shqipërisë në Francë. Në po atë frymë zemërimi dhe pafuqie ai do t’i thoshte vetes se vetëm djalli kishte ditur t’ia shtinte ashtu në shpirt dëshirën për t’u njohur me këtë shkrimtar vetëm pse ishte shqiptar. Dhe po djalli i kishte mbjellë njëherësh besimin se do të ishte në gjendje ta ndante brenda meje shkrimtarin nga ambasadori. Sepse me ambasadorin, siç unë kisha pasur rastin ta shihja edhe vetë, ai nuk donte të përzihej fare. Gjithnjë djalli, vetëm djalli kishte mundur ta shtynte për të dalë nga shtëpia në mesnatë asaj here të parë, kur po më shihte në ekran, të merrte taksi me një nxitim prej të çmenduri dhe të vinte para ndërtesës së televizionit për të më pritur, duke pritur më shumë se një orë në këmbë, në trotuar, nën vëzhgimin dyshues të rojave të sigurisë.
Pjesë nga novela “Fajtori”