Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tyre të tretë

L300

nga Ismail Kadare

Kategori: SKU: 9789994332481 Etiketë:

Përshkrimi

Në prag të mijëvjeçarit të tyre të tretë, që është edhe mijëvjeçari i tretë i botës së sotme, shqiptarët i priste një befasi tragjike. Ishte e pangjashme me dramat e mëparshme, ndaj ishte, ndoshta, dhe më e hidhura. Një vizatim në një gazetë franceze të atyre ditëve e jepte tronditshëm thelbin e ngjarjes: Njëra kokë e shqiponjës dykrenore, zogut simbolik të shqiptarëve, përpiqej të mbyste kokën tjetër. Marsi i vitit 1997 do të hyjë në historinë e këtij vendi si marsi i vetëvrasjes. Nuk teprohet aspak po të thuhet se Shqipëria u përpoq të vetëvritej. A ishte e denjë kjo për një popull që ka mijëra vjet që jeton në këtë botë të vështirë? A ishte shenjë papjekurie, lodhjeje apo fatalizmi? Së fundi, a ishte e turpshme?

Për dikë që shkon drejt vetëvrasjes, gjykimi i pastajmë, qoftë i atij vetë, qoftë i të tjerëve s’mund të jetë kurrë as tepër i saktë, as tepër i qartë, e aq më pak, as tepër i pamëshirshëm. Por ne, nëse nuk jemi në gjendje të shkoqitim e të zhbirojmë shkaqet e thella e ndërthurjen e kushteve që e sollën popullin shqiptar në këtë ditë me të vërtetë të zezë të tij, jemi të detyruar ndërkaq që çdo mendimin tonë, çdo përpjekje e çdo veprim tonin të tashëm ta vëmë në lidhje me këtë tragjedi. Ajo është e tillë që nuk të lë të qetë. Ajo është zotëruese dhe klithëse. Ajo shtron pyetje dhe kërkon përgjigje nga të gjithë.