Përshkrimi
…Por gurët e Zallit të Kirit na njofin të gjithëve; na i dinë bisedat se na atje ato i kemi ba me za të naltë; na njofin për ftyrë se aty nuk kemi pasë maska; na e njofin zemrën, sepse me orë të tana jemi shtri përmbys mbi barin shtatvogël të tij. Po të kishim emna, edhe për emën do të na njifnin gurët e tij, por ata që mbeten fëmijë, nuk e kanë për zakon me mbajtë emën, sepse emni asht i randë e i pengon. Të vdekunit e Zallit të Kirit janë gjithnji atje, të mbledhun kruspull nën jorganin e randë prej zhavorri, nën ujë e pa ujë, nën diellin përcëllues a shiun e zemëruem, gjithmonë hije miqësore me klithmën e këputun a të paqitun, si shenj qortues i një jete të gabueme a i nji fati tragjik.
(Zalli i Kirit, përshkrim, 1986)