Plaku dhe deti

4.00

Ernest Hemingway

Përkthyer nga Ismail Kadare

Përshkrimi

Plaku dhe deti  është një tregim për forcën dhe dinjitetin e shpirtit të njeriut. Me simbolikën e tij ai trajton pyetjen e madhe, se deri ku duhet të shkojë njeriu, deri ku duhet të guxojë. Për Heminguejin njeriu, edhe kur e di se do ta kapërcejë të zakonshmen, se po shkel përtej saj, në trevën e dyluftimit të pabarabartë, madje të vetë vdekjes, nuk ka përse të tërhiqet pa e provuar. Më mirë të kthehesh i mundur pasi e ke provuar ndeshjen, pasi e ke treguar se e ke guximin ta bësh, sesa të dështosh pa e bërë provën. Plaku i detit na tregon se e arriti atë që nuk e kishte bërë tjetërkush dhe nuk ka rëndësi se nuk e solli edhe mishin e peshkut për ta ngrënë. Kjo nuk ishte një sprovë për të sjellë diçka për të ngrënë, por për të sjellë një provë të guximit dhe të krenarisë. Është një ngjarje në kufirin e së pamundurës, nga e cila peshkatari është kthyer fitimtar. Në këtë kuptim, rrëfimi kishte forcë tërheqëse për një shkrimtar, si Kadareja, i cili jo një herë në veprën e vet shkon te kufiri i së pamundurës, madje te vetë kufiri midis jetës e vdekjes. Konstandini u ngrit nga varri për ta kapërcyer kufirin, se atij i pëlqenin idetë e reja, kapej me pasion, duke i çuar nganjëherë gjer në skaj. Për Stresin, Konstandini dhe Doruntina qenë përpjekur të thyenin ligjet që i mbajnë të mbërthyera qeniet e gjalla, qenë përpjekur të thyenin ligjet e vdekjes, të arrinin të pamundurën. Plaku i Heminguejit shkon tepër larg, që të tregojë se çfarë është i zoti të bëjë njeriu dhe çfarë mund të durojë. Në filozofinë e tij, njeriun mund ta asgjësosh, por jo ta mposhtësh.