Përshkrimi
(…) Me Lasgush Poradecin ndodh, në fakt, një modifikim strukturor në retorikën e poezisë shqipe. Nëse deri tek Poradeci ligjërimi kishte një patos të jashtëm dhe mesazhi poetik konfigurohej në bazë të një sasie të madhe informacioni, transmetuar lexuesit, përmes autorit të vëllimit “Vallja e yjeve”, lirika interiorizohet duke u bërë, në radhë të parë, shprehja e një gjendjeje vetëdijeje, e cila bëhet konkrete përmes një gjuhe me ngjyrim afektiv. Lasgush Poradeci e bëri poezinë më të thukët, më thelbësore, duke i falur asaj autonomi, shkëlqim dhe absolutizëm. (…)
(…) Me veprën e Lasgush Poradecit, poezia shqipe njohu praninë e filozofisë, pikturës dhe muzikës në ndërtimin e lirizmit poetik më shumë se çdo herë më parë. Në horizontin e kulturës kombëtare, vepra poetike e Lasgush Poradecit ngrihet më lart se kurrë dhe pa asnjë mëdyshje, më e vlerësuar dhe më e dashur se kurrë, ndihet më pranë dhe më e nevojshme se asnjëherë tjetër. (…)