Princa të Lilit, Bij të Arbërit, Familjarë të Sulltanit

L5,000

Kategoritë: , SKU: 9789928824592 Etiketë:

Përshkrimi

“Ky i studiuesit Thomas Frashëri është një studim në front të gjerë që ka kërkuar njohuri të thella, gjuhë të huaja, këmbëngulje e durim prej murgu. Frashëri i ka të gjitha këto e falë tyre ka guxuar të trajtojë e të hedhë dritë mbi çështje pak e aspak të trajtuara në të kaluarën. Me një qasje gjithpërfshirëse, me argumente e me një frymë të fortë analize, ai ka arritur të ravijëzojë madje edhe të gdhendë personazhe, ngjarje, marrëdhënie të fshehura ose të humbura në atë epokë transformimesh të mëdha, edhe identitare, siç ishin shekujt XIV-XV. Studimi i Frashërit shënon një ndarje të prerë nga koncepti marksist i ekzaltimit të rolit të masave dhe i mohimit të rolit të individit në histori, që për gati pesëdhjet vjet ishte filli i kuq i studimeve historike në Shqipëri”.
Prof. PËLLUMB XHUFI
 
*
“Në “varrezën e aristokracisë”, siç e quajti z. Pareto historinë, ndërhyn tani Thomas Frashëri për të nxjerrë nga hijet e shekujve prej varrezës së aristokracisë arbërore monumentin ndoshta më kërshëror të saj, sa për nga titujt, aq dhe për nga adaptueshmëria gati darwiniane: dinastinë Thopia/Topia. Duke vendosur dy disiplina ndihmëse të historisë, heraldikën dhe gjenealogjinë, në një status hierarkie të pasprovuar më parë në historiografinë shqiptare, ia del ta ringrejë në këmbë dinastinë emërmadhe për të hedhur dritë thuajse të plotë mbi të. Punim padyshim befasues për lexues të ushqyer me burokraci tekstesh historike, por edhe për ata të mësuar me “histori arbërore” pa Europë”.
Prof. AUREL PLASARI
 
*
“Thomas Frashëri arrin të na ofrojë versionin më të plotë të historisë së Topiajve, duke sjellë kontribute të reja përsa i përket njohjes së dinamikave që karakterizojnë evolucionin e tyre në rrjedhën e kohës dhe të veçorive të lidhjeve që ka pasur familja në fjalë me kontekstin historik shqiptar, europian, ballkanik dhe osman. Kjo vepër, mbështetur në një metodologji rreptësisht shkencore, është një prurje e re me vlera të veçanta në fondin e historiografisë, një burim referencial dhe udhërrëfyes për çdo studiues të Mesjetës shqiptare”.
Prof. FERIT DUKA