Përshkrimi
E tërë poezia e Nuries është në thelb dashuri, një dashuri që e shumfishon veten. Madje edhe zgjatimet e inatit e protestës ndaj mendësisë “maçiste”, ndaj fatthënës kursimtare kundruall gruas, s’janë veçse prodhime të një dashurie elementare, të një dashurie që e sheh me keqardhje botën e dalë boje e që vjen si grumbullim i vjetër, i brezit të gjyshes, i brezit të nënës, e madje edhe i vetë subjektit lirik, kësaj çupëline që duhet të ketë qenë e rritur përpara se të zvogëlohej.
Bie në sy lehtësia me të cilën Nuria i ngre shtatoret e veta, që shenjojnë situata e përjetime të rënda, aq sa shpesh të duket se po lexon një zezonë me një melodi ritmike në sfond, e cila s’të lë të përqendrohesh krye- këput në dhimbje. Ky është kurthi që e përgatit poetja për lexuesin e vet që të mos e sharrojë në pezëm e mendime të liga. Është shpëtimi perfid që ia bën atij që me titullin në dukje romantik, por tepër të errët në thelb, e për të vazhduar më pas me vjersha që flasin për shembje ëndrrash, për toka të humbura kaherë, për dëshira që s’kanë për të ngritur krye kurrë…
Vjollcë Berisha