Përshkrimi
Këto tregime, shkruar me synimin e artit sipëror, sjellin shqetësime jetësore, trazime e reflekse meditative të njerëzve që duan të shprehen për brengat e tyre të thella, plagët metaforike të thikave pa gjak. Të palumturit e botës sikur janë zgjuar, u ka ardhur radha dhe duan të flasin.
“Thika pa gjak” është një libër i shkëlqyer, i atillë që dinë të bëjnë mjeshtërit e prozës dhe të shkrimit letrar.
Mehmet Kraja
Ka shumë mënyra për të lexuar një libër. Vëllimin e Zija Çelës e kam lexuar si shkrimtar dhe më ka befasuar bukuria e rrëfimit, larmia e subjekteve, natyrshmëria, ritmi, muzikaliteti dhe ngjyrimet e fjalës, trilli dhe lakonizmi, veçori të pranishme në secilin prej tregimeve. Një koleksion rrëfimesh sa shqiptare po aq universale, ngjizur me fantazi të pashtershme kreative dhe të harmonizuara në një libër të strukturuar gjithë origjinalitet.
“Thika pa gjak” dëshmon sërish nivelin e lartë të këtij mjeshtri të denjë të prozës së shkurtër, që edhe në letërsinë botërore nuk janë shumë.
Lazër STANI