Përshkrimi
…janë fletë të tmerrit… Mbase ka, por unë nuk kujtoj e mbi të gjitha nuk kujtoj kështu një vepër kaq të freskët e të menjëhershme, të lidhur aq ngushtë me botën që zbulon dhe dëshmon… por këto janë dhe fletë triumfuese të poezisë… Liria mban vargjet e Visar Zhitit, edhe kur janë të pushtuara nga argumente të zymta…
Mario Luzi, poet italian
Libri me poezi i Visar Zhitit është më turbulluesi që kam lexuar ndonjëherë. Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën t’ia ndryshojë lexuesit vizionin për botën. Merreni dhe mbajeni fort!..
Kevin Higgins, poet dhe kritik irlandez, botues në Angli
Kjo kronikë tmerresh të kohës është pa kurrfarë fryme ligësie e urrejtje dhe pa atë tiparin kaq shqiptar – thirrjen e palëkundur për hakmarrje. Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyrojnë më mirë historinë e kombit të tij.
Robert Elsie, albanalog kanadezo-gjerman
Këto poezi janë martire!… Duhet të rilindin ashtu, për të marrë vendin që u takon në altarin e shenjtë të Letërsisë!
…këto dorëshkrime e fituan lirinë, duke i çelur rrugë, me historinë e tyre, një tjetër historie!
Andreas Dushi
Përpara kësaj relique përulem dhëmb- shurisht. Dorëshkrimi i Visarit, i poezive të burgut, të krijuara në fillim në mendjen e tij, në qeli, kur e arrestuan dhe pastaj të shkruara fshehurazi në kampet e rënda të Spaçit e të Qafë Barit… Nuk besoj se gjendet libër tjetër me poezi me fat të tillë marramendës… se edhe librat kanë fat, me kaq shumë ankth dhe tmerr…
Eda Agaj Zhiti
Visari Zhiti u dënua për poezinë dhe e vazhdoi këtë dënim, të shkruante dhe në burg.
Botimi anastatik që Shtëpia Botueses “Onufri” sjell para lëçitësit të poezisë, është “sui generis”, i pari i këtij lloji. Fletoret autentike të Visar Zhitit, të shkruara në kushte terrori, risjellin me vete atmosferën e burgut komunist, guximin e çartur që mund ta paguaje me jetën. Formati i zgjedhur është dyfish i vlerë: së pari, rëndësia dokumentare e historike e poezive të shkruara në rrethana të jashtëzakonshme dhe, së dyti, vlera e patjetërsueshme e dorëshkrimit. Shkrimi origjinal i poetit është një autograf-poemë.
Ajo i kaloi provat si asnjë poezi tjetër, kryqëzimin dhe ringjalljen. Dhe meri- tonte ta kishim dhe ashtu, në formën e saj parake. Gjersa doli e gjallë dhe po udhëton nëpër botë…
Dr. Luan Topçiu