Përshkrimi
Bota shqiptare është e mbushur me magjira dhe gratë shqiptare dinë plot gjëra për to. Romani “Mërkuna e Zezë ” i shkrimtarit Agron Tufa është mbledhja e tërë kësaj përvoje femërore të sjellë në një libër, që me një hap të shpejtë e pa shumë stërhollime (në plan të parë) eksploron atë pjesë të thellë mistike që kanë gratë përbrenda, e cila fillon nga mitra e tyre deri tek pushteti i bukurisë me pasione e nevoja, që as gratë vetë nuk do të dinë t’i shpjegojnë.
Te “Mërkuna e Zezë”, Guri, personazhi kryesor, viziton fshatin e largët të dajës për t’u gjetur i vetmi djalë i një shtëpie me shumë femra, mes joshjes së magjirave, seksualitetit dhe lakuriqësisë, i rrethuar nga femra që nuk dihet se ç’duan prej tij: të ngelen shtatzanë me të, ta mbrojnë apo ta vrasin? Romani bart në vetvete shumë shtresa leximi: nën thjeshtësinë poetike të rrëfimit është kamufluar miti, një mit arkaik i zanafillës rivalizuese matriarkat/patriarkat, ku në roman, zanafilla matriarkate ngadhënjen përmes sektit të shtriganisë dhe kultit të perëndisë së tyre “Mërkuna”. Paradoksal është ky paralelizëm tani, për etapën e triumfit të plotë të fëminizmit absolut në shoqërinë postmoderne! Guri, heroi adoleshent nuk arrin të kthehet më prapa, në familjen atërore. Që në fillim të romanit ne e kuptojmë këtë, se na rrëfen një “shpirt” pa trup, mbi përvojën e trishtuar që pati në fshatin e dajës, nga nuk u kthye më kurrë.
“Mërkuna e Zezë” është një mundësi për t’u futur në thellësi të maleve në fshatin e largët, e besoj, imagjinar, Ivranaj, në vendin ku gratë thurin lesh të zi, atje ku fshati është me një ngarkesë seksuale më intensive se Tirana, ku femrat janë më shtriga së në Bllok, ku shpirti i grave rrënon jetën e burrave.
Te “Mërkuna e Zezë”, Agron Tufa ikën nga simbolika e ndërtuar me lëndë empirike realiste dhe na tërheq bukur, thjesht, ëmbël, në një rrëfim ku përzihen ngjarje, ndodhi, peizazhe realiste, me përfytyrime të praktikave mitike, në një botë ku misteri dramatik përzihet me seksin, jeta dimërore e fshatit malor zhytet në një mjegull të paparë marrëdhëniesh magjie, personazhet bartin një peshë kuptimore dhe një karakterizim psikologjik, që i vendos ata nën një tension dramatik të lëvizshëm.
Artan Fuga
Agron Tufa (1967) është poet, prozator, përkthyes dhe studiues; fitues i disa çmimeve letrare, mes të cilëve Pena e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula Rasa, 2005), Çmimi i Madh Letrar Kombëtar për gjithë veprën letrare (2009), etj. Është përkthyes i disa prej autorëve më të rëndësishëm rusë të shekullit XX, si: Ana Ahmatova, Marina Cvetajeva, Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Evgenij Zamjatin, Boris pasternak, Danjill Harms, Olga Sjedakova, etj.
Vepra e tij në prozë e poezi është përkthyer në disa gjuhë të huaja.