Vepra e plotë e Eskilit

18.00

Categories: , Tag:

Përshkrimi

Eskili jetoi midis viteve 525 dhe 456 para erës sonë. Ai nuk qe vetëm dëshmitar dhe kronist i kohës së vet, por edhe pjesëtar i dramës që po luhej. Megjithëse nga origjina i përkiste aristokracisë, gjithë simpatitë, synimet dhe idetë e tij prireshin nga forcat më përparimtare dhe demokratike. Me ushtë në dorë ai mori pjesë në dy betejat e mëdha kundër persëve: në Maratonë dhe në Salaminë. Kjo pikë e biografisë së tij është jo vetëm më e sigurta (në epitafin e varrit të tij nuk i kujtohet vepra letrare por ky fakt), por që përbën dhe një faktor vendimtar për kuptimin dhe zbërthimin e veprës së tij. Hollësitë e tjera të biografisë së tij janë ose pak të sakta ose legjenda. Ekziston një “Jetë” e tij e shkruar nga një autor anonim, por që s’është as tepër serioze, as tepër e besueshme. Një grusht hollësish të tjera, tepër të kursyera thuhen për të: është akuzuar se në një nga tragjeditë e tij ka nxjerrë sekretet e mistereve (s’duhet harruar se fjala mistere ka lidhje me teatrin). Thuhet se ka marrë pjesë edhe në fushatën e Trakës kur ishte pesëdhjetë vjeç. Suksesi i tij i parë ka qenë “Persët”, tragjedia e vetme me temë bashkëkohore që ka mbetur prej tij. Në konkurset e mëvonshme ka pasur për rival Sofokliun e ndoshta Euripidin. Fitorja e tij e dytë qe “Të shtatët kundër Tebës”. Më 458, në moshën 67 vjeç fitoi me trilogjinë “Orestia” dhe fill pas kësaj u largua nga Athina për në Sicili. Motivi i këtij largimi ka mbetur i paqartë. Është folur për fyerje prej publikut, prej jurive, por këto janë pak të besueshme. Mund të ketë pasur arsye të thella politike. Eskili vdiq larg Athinës më 456. Gojëdhëna e vrasjes së tij prej një shqiponje, e cila, duke e pandehur kokën e tij për një shkëmb, lëshoi sipër saj breshkën e kapur, hyn ndër legjendat, disa herë të pakuptimta, që qarkulluan gjatë mijëvjeçarëve për të. Gjysmë shekulli pas vdekjes, Aristofani e protretizoi si njeri krenar dhe pasionant. Pa dyshim që është tepër pak për autorin, mosqenia e të cilit do të prishte drejtpeshimin e letërsisë botërore.