Përshkrimi
Historia që do t’ju rrëfëj mbase nuk mbart interes kolektiv. Ndoshta nuk ka arsye ta ndaj me lexues, por pastaj i rikthehem dhe ndiej se duhet ta nxjerr nga vetja. Ta shkëpus nga barra emocionale që më shkakton mua dhe të mbetet një rrëfim mbi një brez dhe një kohë, e cila po zhduket përfundimisht, ashtu siç njeriu po ndryshon përfundimisht, vendi ku kemi jetuar dhe krijuar kujtimet tona, qyteti, shteti dhe tërë bota. Shoqëria, shkolla, miqësitë e adoleshencës apo edhe fëmijëria deri diku e lumtur, tashmë janë pjesë e së shkuarës dhe çuditem se si errësira arrin të përpijë kaq shumë njerëz, vende, objekte dhe frymë, kaq shpejt. Mua më mungon ajo kohë, bashkë me të dhe Tringa.



