Përshkrimi
“Ashtu si Borges-i, ose si Garcia Marques-i… Paviqi, me portrete të shkëlqyera në miniaturë e me rrëfenja magjepsëse, arrin t’i bëjë marifetet e natyrës tekstuale të qëndrojnë bukur mirë brenda veprës”.
Michael Dirda, Washington Post
“Gjithmonë kam qenë i mendimit se nga tradita doemos burojnë e degëzohen prirje të reja dhe arritje madhore…. Në rastin e Paviqit, kam bindjen e thellë se dy shekuj tradite letrare i kanë dhënë përfundimisht shtatin e një romancieri të madh…”
Mikasinovich, World Literature Today
“Ç’kryevepër e mistershme, e çartur deri në harbim, e përçudshme deri në absurd… Ky trillim artistik mjeshtëror, që e tejkalon vlerën e origjinalit të paqenë; shkurt, një histori e larmishme e shkëlqyer, e thurur prej një rrëfimtari Homerik të përkryer…”
Charles Fenyvesi, The Washington Times
“Libër kaq i veçantë e kompleks, që do mundim të madh për t’u përmbledhur shkurt. Autori i tij, Milorad Paviq, i lindur më 1929, është poet e profesor jugosllav, si dhe romancier; dhe nëse letërsia e shkruar në serbo-kroatishte nuk ka gëzuar pëlqim të gjerë në perëndim krahasuar me letërsi të tjera europianolindore, mbase romani i Paviqit do të sjellë ndonjë ndryshim. “Fjalori Kazar” hahet me “Emrin e Trandafilit” të Umberto Eco-s për nga fuqia shprehëse, fuqia e krijimit artistik dhe fuqia e mendimit, kurse qëndron mbi të për nga thurja tejet e ndërlikuar e enigmës që duhet zgjidhur”.
Douglas Seibold, Chicago Tribune
“Mënyra si ai mendon është mënyra si njerëzit ëndërrojnë… Ka disa proza artistike, që shpesh vlerësohen si novatore. E tillë është ajo e librit të thellë në mendim e mjaft tërheqës “Fjalori Kazar” të poetit dhe studiuesit jugosllav Milorad Paviq – libër që, me zërat e tij alfabetikë me rend kronologjik të shprishur, dhe me simbolet shpjeguese që hidhen nga njëri zë tek tjetri, i jep mundësi çdo lexuesi “t’i lidhë bashkë ato e ta hartojë librin vetë, ashtu si renditen bashkë letrat e lojës apo gurët e dominosë.” Lexuesi mund të ndjekë një pikë të caktuar të fabulës si me fjalor, ta këndojë librin nga fillimi deri në fund, nga e majta në të djathtë, ose nga e djathta në të majtë, e madje edhe “në mënyrë diagonale”, duke punuar “më tresh”. Ai madje, sikundër na e shtie në mend Paviqi, “mund ta këndojë ashtu si ha bukën në tryezë: syrin e djathtë mund ta përdorë për pirun, të majtin për thikë, kurse kockat e mishit të gjellës mund t’i flakë fluturim mbrapa shpine.”
Robert Coover, The New York Times Book Review
“Ky gjasme-kërkim në histori i Paviqit pasqyron një galeri njerëzish, të cilët i qepen si të çartur të vërtetës së një ngjarjeje që mund të mos ketë ndodhur kurrë. Dhe ata që hyjnë në botën klaustrofobike të këtij romani do të shohin se edhe vetë bëhen pjesë e kësaj marrëzie të çartur. Ata duan të dijnë çfarë ka ndodhur realisht, por pa dobi. Veçse mbresa e zhgënjimit venitet e shuhet para magjisë së vetë kërkimit të së vërtetës.”
Paul Gray, Time Magazine
“Paviqi ka shfrytëzuar formatin e librave enciklopedikë për të krijuar diçka që është njëherazi edhe parodi për studimet akademike, edhe prozë jolineare me subjekt zbulimi detektiv e aventurash… Fjalori Kazar është, sikundër na paralajmëron vetë autori, vepër letrare klasike fantazie moderne.”
Robert Irwin, The Listener, London
“Fjalori është libër me faqe të kthyer fort kah ana më emocionuese, më e këndshme e jetës – libër që është edhe universal, edhe i veçantë, fryt i kësaj imagjinate të papërmbajtur plot befasi.”
Nicholas Rothwell, The Weekend Australian
“Ky libër ka një karakter gazmor të magjishëm, që e bën edhe të kapshëm, edhe të këndshëm për t’u lexuar. Janë të gjitha gjasat për t’u bërë romani i admiruar i vitit në Shtetet e Bashkuara…”
- J. Binyon, Literary Review, London
“Romanet e Paviqit hyjnë te realizmi magjik… Kemi të bëjmë me një eksperiment të imagjinatës në fluturim, me një orvatje për t’u matur me peshën e rëndë të jetës së rëndomtë e për t’i bërë ballë asaj. Nuk di roman tjetër, ku heroina të bjerë në dashuri me lexuesin. E kush, vallë, mund t’i bëjë ballë kësaj dashurie? Nuk kemi rrugë tjetër, veçse menjëherë të biem në dashuri me të edhe ne.”
Anne Tyler, The Philadelphia Enquirer