Përshkrimi
Besnik Mustafaj u bë i njohur si romancier te ne në Francë me romanin “Vera pa kthim”, një roman postsimbolik, i cili mishëron një harmoni të mrekullueshme, ku ndërthuren shumë mirë ndjenja elegjiake me një traditë që mund ta quajmë ilire dhe me thekse të ardhura nga Greqia e vjetër. Me romanin e tij të dytë, “Gjinkallat e vapës”, ne shohim lulëzimin e një talenti që refuzon të shkojë drejt të vërtetave të dukshme dhe kuptimeve pa ambiguitet. Vendi Katund pushtohet nga gjinkallat përgjatë një vere ku vapa është kërcënuese dhe pa pushim. Gjinkallat mund të merren si një fenomen natyral ose kozmik. Do të ishte e lehtë për lexuesin t’u jepte atyre një rol thjesht fizik dhe kalimtar. Por ai nuk duhet të kënaqet me këtë version elementar. Banorët e Katundit vuajnë aq keq nga prania e gjinkallave, sa ato nuk shihen ndryshe veç si simbole. Ata nuk duan të flasin në asnjë çast për to me qartësi. Imagjinata ta thotë se ato janë kumtuese të një pushteti tiranik. Duhet që populli të ndihet i shtypur, pa e ditur arsyen. A janë gjinkallat bashkëpunëtore të një pushteti të padukshëm, apo, parë në një nivel metafizik, janë dërguar nga hyjni të pamëshirshme? Nuk duhet kërkuar çelësi për një mister njëherësh të shumëfishtë dhe imagjinar. Gjithë arti i Besnik Mustafajt qëndron tek ushqimi i këtij misteri.
Parabolat e Ismail Kadaresë, paraardhësi i madh dhe i shquar i Besnik Mustafajt, janë shprehur gjithmonë me një gjuhë të kthjellët dhe të një fuqie të rrallë. Besnik Mustafaj e shtyn lexuesin të humbasë aty brenda. Ajo që është jerm, duhet të mbetet e tillë. Ajo që është pa rrugëdalje, nuk ka pse të ftillohet. Sharmi nuk fitohet duke gjetur dalje drejt arsyes, por duke zbuluar shtypjen nën peshën e enigmave
ALAIN BOSQUET
Magazine Littéraire