Përshkrimi
Pak më shumë se dy dekada më parë Francesco Altimari përuronte një fazë të re të filologjisë tekstore në albanologji duke nxjerrë në dritë botimin kritik të veprës paradigmatike të letërsisë së Rilindjes: poemën Bagëti’ e Bujqësija të Naim Frashërit. Me këtë botim ai synonte të përvijonte një perspektivë të re kërkimi, që përveç veprave të autorëve të vjetër, të përfshinte edhe tekste më të reja, veçanërisht, ato të letërsisë bashkëkohore shqipe. Në këtë kuadër ngërthehet edhe ky botim kritiko-gjenetik i romanit Dimri i vetmisë së madhe, bazuar në dorëshkrimin që iu kthye Kadaresë nga fundi i vitit 2012 pasi fitoi çështjen gjyqësore kundër Nexhmije Hoxhës, e cila e kishte mbajtur dorëshkrimin për më se katër dekada. Fill pas vendimit të gjyqit që i dha të drejtë Kadaresë, më lindi ideja e botimit të dorëshkrimit me një qasje mirëfilli filologjike. Ideja u prit mirë nga Autori i cili aty nga fundi i vitit 2013, jo vetëm që më vuri në dispozicion gjithë korpusin e dorëshkrimeve origjinale, por mori një pozitë shkëputjeje neutrale, duke u besuar rezultateve që do të dilnin nga shqyrtimi i lirë filologjik. Për besimin që dëshmoi ndaj meje i jam mirënjohës Kadaresë, i cili edhe në këtë rast konfirmoi ndjeshmërinë e tij si njeri dhe si artist: le të vlejë ky botim si homazh për tetëdhjetë-vjetorin e tij.