Nga Çaslavi në Holivud

L1,500

nga Milosh Forman

Përkthyer nga Piro Milkani

Kategori: Etiketë:

Përshkrimi

Një ditë të ftohtë janari, më shkrepi në kokë një ide e çuditshme. Në pushimin pas leksioneve, u kërkova disa studentëve e pedagogëve të Akademisë Marubi, që qëndronin në oborr pranë filxhanit të kafesë, apo duke thithur një cigare, të bënim së bashku një fotografi. U thashë se doja që ajo fotografi t’i shkonte në Nju-Jork Milosh Formanit, tamam në prag të tetëdhjetëvjetorit të ditëlindjes së tij. Se kush ishte Formani, nuk ishte e nevojshme t’ua thosha. Sapo kisha përfunduar me ta një cikël leksionesh, bisedash e shfaqje filmash të njeriut që ata e dinin se ishte për mua një pikë e madhe referimi jetësor e profesional.

Kishte lindur në një qytet të vogël të Çekisë, në Çaslav, tamam në ditën e Shën Valentinit, pra më 14 shkurt të vitit 1931. E dija gjithashtu se tashmë këtij regjisori të famshëm i shkonin çdo ditë me dhjetëra letra e fotografi, skenarë e kërkesa nga më të çuditshmet. Por, dyshimin se atë letër të pazakontë të dërguar nga Shqipëria do ta injoronte, e mbajta për vete. Ndaj, u gëzova pa masë, kur Formani, jo vetëm që nuk e injoroi atë fotografi, me anë të së cilës disa të panjohur i uronin me zemër ditëlindjen, por dërgoi edhe një përgjigje të ngrohtë të shkruar me dorën e tij.

Në jetë kam lexuar shumë jetëshkrime dhe të jem i sinqertë është një lloj zhanri që e parapëlqej, por për mua, autobiografia e Milosh Formanit është pa dyshim më e përkryera, jo vetëm për faktin se ai ashtu si unë ia ka kushtuar jetën më shumë kinemasë sesa aftësisë që përmes jetës së tij arrin të të mësojë me elegancë shumë më tepër sesa një libër voluminoz për historinë e Europës dhe të botës.

Domethënë, ti paske vendosur të botosh librin tim në shqip, – më pyeti pesë minuta pas takimit tonë të parë në shtëpinë e tij verore në Konektikat. – Epo unë e dua një kopje të tij këtu.

As mos t’ju shkojë në mendje, nuk keni për ta pasur.

Si kështu?

Atë do ta keni vetëm kur të vini në Shqipëri, ku do të organizojmë një autogramiadë për librin.

Buzëqeshi lehtë dhe më tha se nuk do të ishte ide e keqe, veçse mosha “bënte të vetën”. Ndërsa unë, me mendjen time, shtova edhe atë që dija nga libri i tij: ndjenjën e klaustrofobisë, frikën e tmerrshme të fluturimit me avion, si shkaqe të tjera për të refuzuar.

Sidoqoftë, vizita e tij në Shqipëri mbetet një kapitull i hapur.

Lexojeni këtë libër të bukur dhe do të bindeni se jeta e Milosh Formanit, është pasqyra më e qartë e asaj që kaloi Europa, Çekosllovakia e Shqipëria, nën nazizmin, komunizmin, paradokset, absurditetet e demokracinë.

Lexojeni dhe do të më jepni të drejtë.

PIRO MILKANI